Presidenti dhe CEO i Interit, Giuseppe Marotta, foli për “Sky Sport” nga Monte Carlo, pas shortit të Champions League: “Formula është e re dhe magjepsëse, një emocion dhe adrenalinë ndryshe. Të shtunën do ta dimë kalendarin, por e rëndësishme është të paraqitemi në kompeticion në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Pas titullit të yllit të dytë, a mund ta shihni Champions League nga një këndvështrim tjetër?
Ekipi ynë është rritur shumë në Itali dhe në Europë. Ne donim yllin e dytë, një fakt historik, por jemi Interi. Lista jonë fituese përfshin të gjithë trofetë. Nuk ka zgjedhje mes kampionatit dhe Champions League. Inzaghi ka një skuadër konkurruese, nuk ka nevojë të jetojmë me ankth. Kemi nevojë për presionin e duhur.
A do të preferonit të fillonit me një “rrugëtim” më të butë?
Klubet e mëdha po mundohen më shumë për momentin, duke pasur parasysh edhe angazhimet e ekipeve kombëtare, por nuk e di nëse rreziqet më të mëdha do të vinin me një klub të madh apo me të tjerët.
A ndiheni si një nga favoritët?
Janë mediat, ato që na vendosin si favoritë. Ne duam të shkojmë sa më larg. Në fillim mund të jenë ëndrra, por ne jemi Interi, duhet të jemi ambiciozë. Vlera e skuadrës është e një cilësie të madhe, duhet të jemi në lartësinë e historisë tonë. Kjo nuk është arrogancë, por ambicie e shëndoshë.
Ndeshjet e Interit në Champions League
Inter-Leipzig
Manchester City-Inter
Inter-Arsenal
Leverkusen-Inter
Inter-Crvena Zvezda
Young Boys-Inter
Inter-Monaco
Sparta Pragë-Inter