Tirana u jep fund vuajtjeve në Kategorinë e Parë, ku luajti për herë të parë në historinë e vet të lavdishme, sepse me fitoren e sotme ka siguruar rikthimin në sallonin e të mëdhenjve.

Klubi ynë i futbollit më i titulluar do të jetë pjesë e Superiores në sezonin e ardhshëm, duke e bërë atë më të fortë, më intriguese, më rivaluizuese, pa asnjë diskutim.

Po kështu, do të rikthehet derbi i madh i kryeqytetit, që u ka munguar tifozëve në këtë sezon, me bardheblutë që do të vijojnë të mbeten “armiqtë” e përbetuar të të kuqve të Partizanit.

Një lajm i mirë për vetë futbollin tonë, që nuk e ka luksin të degdisë emra, traditë e “marka” si Tirana në kategoritë inferiore.

Pavarësisht këtij suksesi, që lumturon jo vetëm familjen e madhe bardheblu, por edhe më gjerë, tifozët e Tiranës kanë qenë të paktë ditën e sotme në “Selman Stermasi”.

Ndoshta rikthimin në Superiore ata nuk e koniderojnë sukses për t’u festuar, por një ëndërr të keqe (Kategorinë e Parë), për të cilën edhe kanë lotuar një vit më parë.

Një kampionat sakrifica, duke luajtur edhe në fusha sportive të dorës së dytë, por që kurorëzohet më së fundi edhe matematikisht me përmbushje të objektivit.

Që sot, për drejtuesit e 24 herë kampionëve të vendit nis puna për sezonin në vijim, ku oreksi rritet detyrimisht dhe rikthimi i tifozërisë së zemëruar në stadium mund të arrihet vetëm përmes pretendimeve maksimaliste për titull kampion, sikurse e ka pasur përherë zakon një emër i tillë.

Sa i takon ndeshjes së sotme, kundër Pogradecit, kryeqytetasit kanë fituar pa shumë vështirësi.

Fillimisht ka qenë Hysenllari, në minutën e 27-të, që ka shkaktuar autogol në portën e vet. Pastaj, në pjesën e dytë, në minutën e 58-të, Halili, djali i presidentit të klubit bardheblu, ka dyfishuar shifrat.

Greca, në minutën e 80-të, ka vulosur gjithçka, duke vënë në shina të sigurta trepikëshin, i cili përmbyll edhe matematikisht kryesimin e Grupit B dhe rikthimin në Superiore, pavarësisht se do të luajë edhe pak ndeshje në Kategorinë e Parë.

Goli i Shytit, i ndihmuar nga devijimi i Maveje, në minutën e 64-t, pastaj ai i minutës së 83-të, me autor Albi Cekicin, ka qenë vetëm për statistikë, në favor të miqve./telesport/