Mes optimizmit, Teuta mbyll përgatitjet për ndeshjen me Partizanin. “Djemtë e detit” zhvilluan dje seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Niko Dovana”, për ndeshjen me Partizanin, e vlefshme për javën e 34-të Superiores.
Trajneri Edi Martini e nisi stërvitjen duke i folur ekipit për rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ai kërkon impenjim maksimal për të sjellë titullin e munguar në Durrës pas 27 vitesh.
I gjithë grupi ishte në dispozicion të stafit teknik, me përjashtim të sulmuesit Ildi Gruda, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë (4).
Për këtë sfidë rikthehet Renato Arapi, i cili mungoi në dy të fundit kundër Bylisit dhe Kastriotit, për shkak dëmtimi. I vetmi dyshim në formacion është aktivizimi i Xhekson apo Kuros nga minuta e parë në krahun e majtë.
Të pesta sfidat e kësaj jave luhen në orën 17:00, por shumë sy do të jenë të drejtuar në “Niko Dovana”, aty ku mund të vendosen dhe fatet e titullit kampion.
Se sa e rëndësishme është kjo sfidë për Partizanin, mjafton të shikosh renditjen. “Demat” e kanë detyrim fitoren! E si pasojë, Daja pritet të rreshtojë një ekip më sulmues, ose më saktë, të njëjtët titullarë që e kanë sjellë ekipin deri këtu, por me një manovër më ofensive. Jurgen Bardhit dhe Valentino Muratajt do u jepet më shumë liri për të shtyrë nga mesfusha, ndërsa Broja do të ndihmojë prapavijën në rast kundërsulmesh nga kundërshtari.
Problem për Dajën pa diskutim që do të jetë forma e mirë e Dejvi Bregut, i cili nga krahu i majtë shpeshherë është i rrezikshëm. Me Malën që është një mbrojtës disi më ofensiv, do të jetë detyrë e Brojës dhe Bitrit që të dublojnë 22-vjeçarin, në markimin kundër Bregut. Ndërsa, Asani dhe Çinari nga krahët e sulmit, do të mbështesin bomberin Stenio Zhunior, i cili do të jetë në majë të ofensivës.