Në prag të ndeshjes me Laçit, ka folur për mediat trajneri i Teutës, Edi Martini, i cili në analizën para ndeshjes me kurbinasit ka pohuar:

“Laçi ka ekip të fortë megjithëse nuk ka marrë shumë rezultate. Si çdo ndeshje tjetër, edhe kjo është e vështirë. Kjo nuk është ndeshje shumë kyçe, por si të gjithë të tjerat sepse na duhen pikët. Formacioni? Pak e shumë e kam në mendje kush do jetë nesër në fushë nga minuta e parë. Gëzojmë formë të mirë.”

“Barazimi me Partizanin nuk na ka lënë shije të mirë, por besoj se kemi bërë stërvitje intensive dhe djemtë po bëjnë mirë. Këtë javë do na bashkohet edhe Plaku me ekipin. Gjendja është mjaft e mirë. Si në sulm, si në mbrojtje dhe të veprojmë të gjithë si ekip. Natyrisht kërkohen më shumë gola, duke pasur parasysh cilësinë e lojtarëve sulmues.”

“Nga ndeshja në ndeshje presim që ata të shënojnë dhe të jenë më të sigurt e më të lirë. I kemi të gjithë rolet e dubluara, ndoshta edhe më shumë se aq. Gjithsesi nëse do të ketë ndonjë lëvizje në orët e fundit, do të jetë për ndonjë super super lojtar. Ne kemi grup shumë të mirë”, – u shpreh trajneri i Teutës, Edi Martini.