Klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës, e para për vitin 2025, vjen ndryshe këtë herë, me dy skuadrat që kanë një diferencë të madhe pikësh në tabelë, 13 në favor të shkodranëve.
Megjithatë, emocionet në “Loro Boriçi” pritet që edhe sot të jenë të mëdha, sidomos në krahun shkodran, duke qenë se skuadra kuqeblu niset si favorite në këtë sfidë. Vllaznia e nis 2025-ën si pjesë e “Final 4”, ku rivalizon për titullin kampion me Dinamon, Partizanin dhe Egnatian.
Sigurisht, ka një gjendje piskologjike më të mirë, por edhe një grup lojtarësh më kompetitiv se ai i kundërshtarit. Plus që luan para tifozëve të vet, ndaj dhe është ndjeshëm favorite për 90-minutëshin e sotëm, pavarësisht se futbolli dhuron surpriza shpesh. “Panorama Sport” mëson se për shkak të incidenteve në ndeshjen e fazës së dytë, sot do të ketë masa shtesë nga policia.
Tirana në anën tjetër shkon në “Loro Boriçi” me shpresën për një “ristart” të sezonit. Pas 19 javësh kampionat bardheblutë e shohin veten të kërcënuar nga rënia një kategori më poshtë, me 18 pikë në vend të 8-të, aq sa ka edhe Bylisi i vendit të 9-të. Një situatë që nuk i shkon aspak për shtat klubit më të titulluar në vend, por që duhet ta tregojë në fushë, ndaj një rivali historik si Vllaznia, se nuk është për mbijetesë.