Ndodh edhe kështu. Idhull në fushën e blertë por jashtë saj futbollistë të shquar shpeshherë përballen me probleme të ndryshme me drejtësinë në vende të ndryshme. Rasti i fundit ka të bëjë me një nga ish- futbollistët e shquar të kombëtares shqiptare, madje që për disa kohë ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Bëhet fjalë për Altin Lalën. Gjykata e Hanoverit e ka dënuar atë me një gjobë të majme prej 17100 eurosh. Ai ka dhënë para nën dorë një klubi qitjeje për të marrë një leje paraprake për mbajtjen e armëve sportive.

Lala ka shkelur rregullat, teksa duhet të merrte lejet duke kaluar disa hapa të tjera. Ish-kapiteni i Hanoverit ka blerë një çertifikatë ekspertize për 300 euro. Në korrik tre bashkëpunëtorët e Lalës kanë përfunduar në burg, pasi kishin fituar 1560 euro për çdo leje të dhënë nën dorë. Dënimi fillestar për Lalën ka qenë 22800 euro, por është ulur në 17100, sepse ai pranoi akuzën dhe nuk ka pasur armë në në zotërim.
Gjithsesi kjo gjobë nuk është se do të jetë shumë problem për t’u shlyer nga Lala, teksa kujtojmë që ai ka biznese me fitime të mëdha.
© shkodrasport.com