Deri ditën e premte pritet që Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s të japë vendimin e tij për ekipin grek të futbollit të femrava, PAOK të Selanikut që kishte aktivizuar një futbolliste të pafederuar në ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Vllaznia është në pritje të këtij vendimi sepse në rast dënimi të grekëve, do të jetë ajo që do të kualifikohet për në turin e dytë të këtij kompeticioni, si skuadra e renditur e dyta në grupin 10.

Mbase ndokush mund të mendojë se një kualifikim i tillë nuk është i drejtë për kampionen e Shqipërisë, por presidenti i saj Lazer Matija në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet ndryshe: “Ndoshta e mira do të ishte që të kualifikoheshim në fushë dhe brenda rregullave por në fakt kur dikush i shkel këto rregulla, duhet të përfitojmë nga to. Duke folur me logjikën e futbollit, PAOK bëri autogol në portën e vet dhe padyshim që ne do të kërkojmë fitoren për këtë”.

© shkodrasport.com