Vllaznia në futboll për femra tashmë ka mësuar emrat e ekipeve kundërshtare me të cilat do të ndeshet në grupin 8 të Champions League.
Natyrisht që ekipi shkodran do të pretendojë kalimin e këtij turi të parë por nuk do të jetë e lehtë.
Me përjashtim të ekipit të Sarajevës të cilin e njeh ngaqë ka luajtur edhe vitin e kaluar me të dhe e ka mundur me rezultatin 1-0, për shkodranet janë krejtësisht të panjohura ekipet kampione të Estonisë dhe Moldavisë.
Një kundërshtar më I vështirë duket se është Parnu e Estonisë që ndoshta është dhe skuadra më e fortë e grupit.
Por për Vllazninë sfida më e rëndësishme është ajo e para që do të të luajë me Sarajevën.
Nëse e kalon atë, gjërat mund të shkojnë për mirë pastaj drejt arritjes së objektivit, kalimit në turin e dytë.
Një gjë të tillë, vajzat shkodrane kanë qenë shumë pranë arritjes edhe një vit më parë kur fituan dy ndeshje dhe u renditën në vendin e dytë në grup.
Presidenti Lazer Matija është I bindur se Vllaznia ka për t’u paraqitur shumë denjësisht edhe këtë edicion dhe gjatë këtyre ditëve do të mundohet të marrë sa më shumë informacion për kundërshtarët në mënyrë që të përgatiten si duhet për përballjen me ta.
Nga ana tjetër, po mundohet të shohë mundësinë e përforcimit të skuadrës me lojtare cilësore në pikat ku ajo ka më shumë nevojë sepse vetëm kështu, mund të sigurojë kualifikimin.
“Nuk kemi shumë njohuri për rivalët me përjashtim të ekipit të Sarajevës megjithatë po mundohemi të mbledhim informacione.
Vllaznia padiskutim që do të tentojë edhe këtë herë të kalojë turin dhe do të bëjmë çmos për ta arritur këtë gjë.
Rivalet kryesore besoj se do kenë ekipet e Bosnjës dhe Estonisë por të shohim.
E rëndësishme është që ne të përgatitemi si duhet për këto ndeshje”- ka thënë presidenti Matija në prononcimin e tij për gazetën tonë.
© shkodrasport.com