Shqipëria sot pasdite ka barazuar 1-1 ndaj Polonisë në Varshavë dhe ky është rezultati më i mirë në historinë e futbollit shqiptar të femrave.

Padyshim që merita është e të gjitha vajzave, e stafit teknik dhe e gjithë grupit që i ka qëndruar pranë këtij ekipi.

Por, nga ana tjetër, krenar për barazimin e sotëm është ndjerë edhe dikush tjetër në Shkodër. Për të mos thënë i lumtur.

Bëhet fjalë për presidentin e ekipit kampion të Shqipërisë- Vllaznisë së Shkodrës, Lazer Matija.

Ai e ka ndjekur me shumë vëmendje këtë sfidë nga larg por ka vuajtur si gjithë pjestarët e kombëtares dhe padyshim që në fund edhe ka gëzuar.

Për të, gëzimi merr edhe më shumë vlerë sepse në fushë sot për kombëtaren shqiptare, nga 11 vajzat titullare, plot 7 prej tyre kanë qenë futbollistet e Vllaznisë.

Duke filluar nga kapitenia Albina Rrahmani, për të vazhduar me Arbiona Bajraktarin, Sara Maliqin, Luçie Gjinin, Esmeralda Franjen, Kristian Maksutin dhe Megi Doçi.

Pa përmendur faktin që në minutat e fundit ka hyrë në fushë si zëvendësuese edhe një futbolliste e 8-të nga Vllaznia, Aidena Mustafa.

Kombëtarja shqiptare kësisoj është një “Vllazni e dytë” dhe për këtë presidenti Lazer Matija ndjehet mirë.

“Në rradhë të parë më vjen mirë për kombëtaren tonë. Përpos kësaj, gëzimi për këtë barazim shtohet sepse më tepër thuajse 70 për qind e kombëtares përbëhet nga vajzat e Vllaznisë.

Jam krenar për këtë gjë. Këto vajza kanë qenë shumë pranë një arritje historike në Champions League, ndërsa tani me kombëtaren arrijnë një tjetër sukses.

Futbolli i femrave në Shqipëri po rritet çdo ditë e më shumë dhe ky padyshim që është një lajm i mirë.

Vllaznia dhe Shkodra po japin kontributin e tyre për këtë dhe kjo më bën edhe më shumë krenar”- ka thënë ai.

Përpos vajzave futbolliste, në këtë kombëtare edhe stafi teknik është i gjithi nga Shkodra, me Armir Grimën, Vioresin Sinanin e Elis Legatën, madje edhe me mjekun Zyhdi Çoba.
© shkodrasport.com