Vllaznia e sezonit të ri ka nisur të marrë udhë. Sponsori Xhaferi bashkë me stafin e tij dhe në kordinim të plotë me drejtuesit e klubit, kanë nisur të formatojnë skuadrën dhe stafin e saj. Gjithçka duket se po shkon ashtu siç ishte projektuar dhe tashmë thuajse kemi të zyrtarizuar edhe dy drejtuesit e lartë të stafit teknik të skuadrës dhe të klubit.
Matko Djarmati është projektuar të jetë drejtori i ri sportiv i Vllaznisë dhe ndonëse ende nuk është zyrtarizuar, ai mësohet se ka nisur punën për kompletimin e skuadrës me lojtarët e duhur.
Thomas Brdariç me një përvojë shumë të madhe si futbollist në nivele të larta, por tashmë prej 10 vitesh në rolin e trajnerit dhe drejtorit sportiv në ekipe të ndryshme, vjen me dëshirën për të bërë mirë në Shqipëri.
Misioni i tyre mund të jetë i vështirë, por jo i pamundur. E para sepse kanë një mbështetje të madhe të drejtuesve të klubit. E dyta, do të gjejnë një mikëpritje dhe mbështetje edhe nga sportdashësit e këtij qyteti që mezi presin ndërtimin e një Vllaznie ndryshe dhe kjo padyshim që do t’i ndihmojë shumë ata.