Menaxheri Andi Matraxhiu, duke komentuar shkarkimin e Gugash Maganit nga Egnatia, tha se drejtuesit e rrogozhinasve janë të rinj në këtë fushë dhe kanë marrë një vendim të nxituar.

Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Matraxhiu deklaroi se te Egnatia ka pasur prej kohësh përplasje me personat për merkaton. Ai tha se shkarkimi për shkak të rezultateve nuk i jep të drejtë drejtuesve, duke shtuar më tej se në këtë mes ka prapaskena.

“Drejtuesit e Egnatias, janë të rinj në këtë fushë. E shikoj një vendim të nxituar. Ky vendim është shumë i gabuar. Problemi duhet analizuar me detaje. Ka përplasje prej kohësh për lojtarët dhe kush do të vendosë për merkaton e janarit.

Edhe në verë kishte përplasje me personat përgjegjës për merkaton. Duhet të shikojmë edhe gjërat e brendshme. Shikoj që ky klub nuk ka një të ardhme të ndritur nëse vazhdojnë kështu. Klubi duhet të jetë një hapësirë e gjelbër për të gjithë.

Braziliani, Augusto mund të jetë edhe molla e sherrit, sepse u tha që në ndeshjen e fundit mungoi për shkak dëmtimi, por lëndimi ka qenë i vogël në dorë. Rezultatet nuk i japin të drejtë drejtuesve. Këtu ka prapaskena, që të merremi me fenomenin.

Nëse drejtuesit, e shikojnë si një ekip për Europë dhe titull, do të gabojnë shumë dhe do të ketë shumë Maganë.”, tha Matraxhiu.