Mbrojtësi Mërgim Mavraj është një nga futbollistët e kombëtares shqiptare që nuk ka gjetur ende ekip. Futbollisti u largua nga Hamburgu pas shumë problemeve që kishte me klubin gjerman.

32-vjeçari nuk kaloi një sezon të mirë, pasi u përjashtua nga skuadra që ra nga Bundesliga duke qëndruar për 6 muaj pa luajtur.

Shqiptari prishi kontratën me mirëkuptim me ish-ekipin e tij dhe tashmë është futur në kërkim të një skuadre të re. Shtatlarti është i vonuar, pasi merkatoja është mbyllur në ligat kryesore të Europës.

Ai kishte interesim nga Italia, Peruxhia, por marrëveshja nuk u arrit, ashtu si me ekipin e La Korunjas në Spanjë. Me merkaton drejt mbylljes, lojtarit i duhet të vrapojë për të gjetur një skuadër të re.

Telesport zbulon me burime pranë lojtarit se Mavraj është në kontakte me skuadrën e Arisit. 32-vjeçari mund të përfundojë në kampionatin grek të futbollit.

Ai do të bashkohej me mesfushorin tjetër shqiptar, Migjen Basha. Ky i fundit ka hyrë “mik” për ta bindur, pasi momentalisht mbrojtësi nuk është i bindur për shkak të rrogës që i ofron ekipi grek.

Dita e sotme do të jetë vendimtare, të shohim dhe të presim nëse Mavraj do të zgjidhë përfundimisht të ardhmen./telesport/