Mërgim Mavraj tashmë është një ‘ish-mbrojtës’ i Arisit, duke qenë se mbrojtësi i Kombëtares do të rikthehet edhe njëherë tjetër në Gjermani. Lajmi u bë i ditur pak ditë më parë, ndërkohë që sot është bërë me dije edhe emri i klubit te i cili Mavraj do të kalojë në Gjermani.
Bëhet fjalë për Ingolshtadin që militon në Bundesligën e Dytë gjermane dhe që aktualisht po lufton për mbijetesë dhe e sheh veten pranë rënies në një kategori më poshtë, duke qenë se pas 18 javësh numëron vetëm 10 pikë. Mavraj mund të jetë një armë më shumë për Ingolshtadijn në luftën për mbijetesë, duke qenë se kapiteni kuqezi e njeh mjaft mirë kampionatin gjerman, pasi në të kaluarën ka qenë mbrojtës i Këlnit dhe i Hamburgut.
Aventura e Mavrajt në Greqi, mbyllet pas vetëm 6 muajsh duke qenë se te Aris nënshkroi gjatë merkatos së verës dhe shihej si një mbrojtës që mund të bëjë mirë në Greqi dhe u prit si hero në shtetin helen nga tifozët e Arisit. /vipsport/