Kapiteni shkodran i Bylisit, Aleksandër Trumçi, i cili këtë sezon është një nga pikat e forta të ballshiotëve, ka besim të madh se, mallakastriotët do të marrin pikë ndaj Vllaznisë. Për “Panorama Sport”, shkodrani foli për ndeshjen e sotme në “Loro Boriçi”, teksa edhe për të do të jetë një sfidë e veçantë, sepse për herë të parë do të luajë si kundërshtar në qytetin e lindjes.
Trumçi u shpreh se ka nostalgji për Shkodrën dhe Vllazninë, sepse është rritur me disa prej futbollistëve aty, ndërsa theksoi se çdo futbollist apo ekip ndihet komod kur luan në stadiumin “Loro Boriçi”.
“Ndihem i privilegjuar që rikthehem dhe luaj si titullar në Shkodër, në një tempull të futbollit shqiptar dhe për më tepër përballë Vllaznisë, që është djep futbolli. Këtë vit, historia e futbollistëve shkodranë është shumë e bukur, sepse jemi kudo në Shqipëri. Unë mendoj se ne e konceptojmë pak ndryshe futbollin. Tashmë, unë jam i Bylisit prej vitesh dhe më duhet që të bëj më të mirën për këtë klub, qe më ka hapur dyert.
U rrita këtu, sepse kam ardhur që në moshën 19-vjeçare në Ballsh. Natyrisht, kam nostalgji për Shkodrën dhe Vllazninë, sepse me disa prej futbollistëve aktual jemi rritur. Shkodra ka një të veçantë dhe që dallohet nga të tjerët, që duartroket edhe kundërshtarin kur fiton, prandaj çdo lojtar apo ekip ndihet komod kur luan aty.
Me Vllazninë duhet të luajmë lojën tonë dhe të bëjmë maksimumin në Shkodër. Do të jetë një sfidë spektakolare, sepse jemi dy ekipe që luajnë futboll shumë të bukur. Megjithatë, Bylisi do të guxojë për tre pikët”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni shkodran i Bylisit, Aleksandër Trumçi.
Maringlen ZHIVANI