Ka mbaruar sot afati për kompaninë “Gea Sport” për të paguar paratë sipas kontratës në numrin e llogarisë të KF Vllaznia në mënyrë që ajo të vazhdonte. Kryebashkiaku Luka kishte kohë që i kishte caktuar datën 12 tetor si të fundit për të pritur presidentin Nava për të paguar detyrimet e tij por ky i fundit duket se nuk ka ndër mend ta bëjë këtë gjë. Pak ditë më parë, vetë zviceriani me origjinë italiane me të qeshur pak deklaruar në rrjetin social “facebook” se kjo datë (12 tetori) është e dielë dhe asgjë s’ka për të ndodhur.

Nuk ka thënë as se do t’i paguante paratë më 10 apo 11 apo dhe më e shumta më datë 13, pra nesër që i bie e hënë dhe bankat janë të hapura. Me këtë logjikë, i bie që të presim edhe nesër por burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë të ditur se kryetari i saj Lorenc Luka nuk ka ndër mend ta presë më. Si rrjedhojë, duket se tashmë do nisë ai procedurat e prishjes së kontratës. Me shumë mundësi, më darë 20 të këtij muaji do mblidhet Këshilli Bashkiak Shkodër dhe ai do miratojë prishjen e kontratës së bashkëpunimit me kompaninë “Gea Sport”. Këshilli Mbikëqyrës ndërkohë vazhdon të funksionojë sepse ka më shumë sesa gjysma e anëtarëve, janë pjesë e tij Isuf Isufi, Agim Medja dhe Flamur Hoxha. Në rrethana të tilla, Bashkia Shkodër merr edhe njëherë administrimin e plotë të klubit dhe do t’i duhet që të miratojë edhe fonde shtesë nga buxheti i saj për funksionimin normal të skuadrës. Nga ana tjetër, sot në Shkodër është parë drejtori sportiv i klubit shkodran Alessandro Grigoletto. Pikërisht ky njeri ka sjellë stafin drejtues me në krye trajnerin Baldo Raineri. Ende nuk dihet se cili është qëllimi i vizitës së Grigolettos kur ai është pjesë e kompanisë “Gea Sport” ndonëse sipas burimeve të besueshme, edhe marëdhëniet e tij me presidentin Nava nuk kanë qenë aspak të mira kohët e fundit. Ardhja e tij mund të jetë edhe një sinjal tjetër megjithatë kjo do mësohet me shumë mundësi gjatë ditës së nesërme.
© shkodrasport.com