Shtrimi i parketit të pallatit të sportit “Qazim Dervishi” tashmë ka përfunduar. Ka ndodhur kjo që mbrëmë ndërkohë që ditën e sotme punëtorët janë marrë thjesht me rregullimin e pjesës sipërfaqësore të tij. Në pamje të parë duket se punimet e bëra kanë qenë cilësorë dhe parketi do ketë jetëgjatësi. Kjo natyrisht do ndikojë për mirë edhe tek sportistët në procesin stërvitor si dhe në ndeshjet zyrtare. Tashmë fusha e këtij pallati sporti është në përmasa më të mëdha pas shtimit të gjerësisë dhe gjatësisë duke plotësuar edhe kushtet e vendosura nga përfaqësuesit e Ligës Ballkanike, meqë Vllaznia do të marrë pjesë aty këtë sezon.
Me përfundimin e shtrimit të parketit, brenda vetëm pak ditësh, ekipet e lojërave me dorë të klubit shkodran mund të kthehen për t’u stërvitur aty. Ndërsa për t’u përfunduar i plotë rikonstruksioni i pallatit të sportit, duhen mbyllur edhe disa punime të tjera që kanë mbetur ende pa u bërë. Pas përfundimit të lyerjes së gjithë ambjentit të brendshëm, tashmë do ndërhyhet për rregullimin e dhomave të zhveshjes, për sistemimin e tribunës Vip si dhe për të rregulluar vendet e gazetarëve. Të gjitha këto do kryhen deri në fundin e muajit dhe më pas “Qazim Dervishi” do të marrë një formë krejt tjetër.
© shkodrasport.com