www.shkodrasport.com
Mbërrijnë tre futbollistë të huaj për provë tek Vllaznia
Tek skuadra shkodrane pritet që të ketë një dyndje futbollistësh të huaj për provë. Pas Milan Markoviç, Ardit Dushkaj dhe Darko Markoviç që u provuan pak ditë më parë por ka e kaluar me sukses testin e stafit drejtues, të tjerë futbollistë të huaj pritet të “zbarkojnë” në Ulqin për t’u provuar. Mbrëmë duhet të kenë mbërritur në hotel “Olimpik”, aty ku është akomoduar Vllaznia dy futbollistë. Njëri prej tyre luan në rolin e sulmuesit të majtë. Ai ka ardhur nga Serbia por nuk bëhen të ditur detaje të tjera në lidhje me të. Po ashtu, bashkë me të ka mbërritur edhe një futbollist nga Mali I Zi. Ky I fundit luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe merret vesh se vjen nga ekipi I Buduçnostit. Këta dy futbollistë, paraditen e sotme do të zhvillojnë seancën e parë me Vllazninë dhe nesër ndërkohë do kenë provën e tyre në ndeshjen miqësore që skuadra shkodrane do të zhvillojë. Përveç këtyre dy futbollistëve, pritet që tek kuqeblutë të vijë po sot edhe një futbollist nga Brazili. Thuhet se ai luan në sulm megjithatë edhe për të mungojnë identitetet për momentin. Natyrisht që këto ditë do jenë të ngjeshur me ardhjet dhe ikjet e futbollistëve. Vllaznia është vënë në kërkim të një qendërmbrojtësi, të një mbrojtësi të majtë, të një mesfushori me tipare shkatërruese dhe të një sulmuesi të majtë. Për këto pozicione pritet të provohen disa futbollistë megjithatë në ditët në vazhdim do mësohet më tepër se cili do jetë fati I tyre, do qëndrojnë apo jo.