
Ka mbërritur pasditen e sotme në Shkodër blerja më e fundit e Vllaznisë në merkaton e janarit, braziliani Bruno Figueiredo. Ai ka qenë i shoqëruar nga menaxheri i tij Armand Gjergji. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e klubit shkodran e cila njëkohësisht bën të ditur se lojtari i blerë së fundi, do të jetë nesër në orën 09.30 në stërvitjen e parë të kuqebluve. Ditët e fundit mesfushori me tipare sulmuese thuhet të jetë stërvitur me një trajner personal në Brazil pasi ka mbyllur kontratën që ka patur me ekipin e tij të mëparshëm në Indi. Figueiredo pritet të rezultojë ashtu siç pritet për të treguar se është e domosdoshme prania e tij tek Vllaznia. Fakti që ai në fillim ka patur kërkesa të larta financiare, nuk është një garanci se ai ka të njëjtat vlera megjithatë do të jetë trajneri Bushati dhe stafi i tij që do ta vlerësojnë këtë gjë. Ky lojtar do të jetë për disa ditë nën një vëzhgim të rreptë të tyre dhe njëkohësisht para se të dalë në stërvitje, do kalojë edhe testet mjekësore për t’u garantuar për formën e tij.
www.shkodrasport.com
Futbollisti brazilian Bruno Figueiredo i shoqeruar nga menaxheri i tij Armand Gjergji sot ne Shkoder.
Foto marre nga ww.vllaznia.al