Partizani i sezonit të ri mbetet për t’u zbuluar, pasi shumë ndryshime kanë ndodhur në ekip që nga përfundimi i edicionit të shkuar. Por, duke ditur që për herë të parë në epokën “Demi” trajneri nuk ndryshon pas përfundimit të një sezoni, pritet që nën drejtimin e Ilir Dajës Partizani të nisë një cikël të ri.
Në një intervistë ekskluzive trajneri i “demave” tregon gjendjen e skuadrës, punën që po kryhet, pritshmëritë, si dhe kërkohet që ekipi të përforcohet. Për Dajën mbetet për t’u parë nëse ekipi aktual është më i fortë se i sezonit të shkuar, por ai jep një shembull konkret, ku vjet kishin 4 mbrojtës, tani kanë dyfishin.
Kur pyetet se a është gati skuadra e tij të sfidojë “peshat e rënda”, Daja përgjigjet: “Edhe vjet në këtë periudhë nuk na shikonin favoritë. Të shikojmë se kush janë ‘peshat e rënda’”.
Ashtu si tifozët, edhe “timonierin” e kuq e shqetësojnë largimet e shumta, por duke u vënë përballë një fakti të kryer, ai kërkon të shikojë përpara dhe të besojë te grupi që ka. Kur pyetet për emra të përveçëm që priten nga merkato, Daja driblon duke pohuar se flet vetëm për lojtarët që ka në dispozicion.
54-vjeçari tha se nuk ka përplasje me drejtuesit, por diskutojnë së bashku dhe po ashtu i marrin vendimet. Daja pret përforcime në mesfushë dhe sulm, por ata që do të vijnë duhet të jenë për një projekt afatgjatë. Në fund Ilir Daja ka edhe një mesazh për tifozët e Partizanit, që në përgjithësi nuk kënaqen me pak.
Profesor, kanë mbetur edhe 11 ditë nga mbyllja e merkatos. Me grupin që keni krijuar deri tani, a është ky Partizan më i fortë se ai i vitit të shkuar?
E vërtetë që kanë ngelur edhe 11 ditë, por merkatoja jonë ka filluar qe me mbarimin e sezonit të kaluar për të kompletuar ekipin me afrimet e duhura. Nëse është më e fortë apo jo mbetet për t’u parë në vazhdimësi.
Por për të bërë një krahasim, po theksoj faktin që në këtë periudhë një vit më parë ne kishim vetëm 4 mbrojtës, ndërsa tani kemi gati dyfishin e tyre pa harruar që kemi edhe 11 ditë kohë. Ndaj ne do të vazhdojmë të jemi aktivë në afrime në ato pozicione ku duam të dublojmë në rolet natyrale.
A e keni të plotë grupin dhe nëse jo, ku pretendoni që të përforcoheni?
Jemi të kompletuar në portë dhe në mbrojtje, ndërsa në mesfushë dhe në sulm duam të marrim lojtarë cilësorë dhe me kontrata afatgjata.
Si ekspert i futbollit shqiptar që i njeh edhe lojtarët dhe skuadrat, a është Partizani juaj gati për të rivalizuar me “peshat e rënda” për titullin kampion?
Duke qenë se jo vetëm ne si Partizan, por edhe ekipet e tjera kanë bërë ndryshime në hyrje dhe në dalje, mbetet për t’u parë se kush janë “peshat e rënda”. Them këtë, pasi edhe vjet në këtë periudhe nuk na shikonin si favoritë, por kampionati tregoi të kundërtën ku deri në javën e fundit ishim një pretendent kryesor për fitimin e titullit.
Ka një shqetësim nga tifozëria për titullarët e shumtë të larguar nga vjet. Ju a e keni këtë shqetësim dhe si pritet të jetë Partizani i sezonit të ri?
Largimet gjithnjë të shqetësojnë, sepse detyrohesh të fillosh një cikël të ri. Jemi gjendur përballë këtij fakti me mbarimin e kampionatit të kaluar dhe po punojmë të gjithë për të bërë zëvendësimet e duhura dhe për të ndërtuar një Partizan kompetitiv me kontrata afatgjata. Kemi filluar një proces për të afruar lojtarë me eksperiencë si Marku, Musta, Damçevski, Gligorov, Shehi etj, por pa harruar edhe afrimin e disa lojtarëve të rinj me shumë perspektivë.
Sa larg mund të shkojë ky Partizan?
Në këtë periudhë kemi punuar maksimalisht që me fillimin e prezantimit në Europë. Gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar 2 faza përgatitore në Ohër për konsolidimin e ekipit dhe vazhdojmë në dinamikë intensivisht në dy drejtimet kryesore, në përforcimin e grupit dhe konsolidimin e tij për të bërë të mundur objektivat që ka gjithnjë Partizani. Do ta vazhdojmë këtë proces hap pas hapi.
Migjen Basha dhe Mario Gjata janë përfolur shumë si afrime të mundshme në skuadrën që drejtoni. Si i pari i kësaj pune, a mund të na hidhni dritë në lidhje me këta emra?
Është periudhë merkatoje dhe jo vetëm për Partizanin, por edhe të tjerë, përmendën shumë lojtarë që në fund marrin formë me zyrtarizime ose jo. Personalisht, gjithmonë diskutoj për lojtarët që janë zyrtarisht pjesë e Partizanit. Nëse do të më pyesni për lojtarët e mi, do të isha i gatshëm t’ju përgjigjem.
A keni “përplasje” me drejtuesit sa u përket afrimeve?
Për ta sqaruar sërish: ne punojmë në staf dhe diskutojmë gjithnjë me njëri-tjetrin. Nuk kemi pasur asnjëherë përplasje, pavarësisht se mund të kemi mendime të ndryshme, në fund vendimi merret unanim
Cili është mesazhi i trajnerit Ilir Daja për tifozët e Partizanit?
Partizani është një kantier ndërtimi, në kuptimin e vërtetë të fjalës, në të gjitha drejtimet. Po bëhet një investim gjigant nga presidenti që Partizani të ketë shtëpinë e vet, për t’u dhënë mundësi tifozëve tanë, të cilët na kanë munguar për shkak të pandemisë vitin e kaluar, që të na ndjekin në stadiumin tonë dhe të jenë sa më të shumtë në numër, sepse janë një suport shumë i fuqishëm për ekipin. Neve na ngelet për detyrë që të punojmë fort për të bërë një Partizan që ata dëshirojnë.