Bylisi humbi 3-0 të dielën në Shkodër me Vllazninë dhe pas asaj ndeshjeje ka mbetur edhe pa trajner.
Nevil Dede dha dorëheqjen menjëherë pas atij dueli dhe drejtuesit e klubi ballshiot janë vënë në lëvizje për të gjetur “timonierin e ri”, që do të ishte i treti për këtë sezon. Kujtojmë që Bylisi e nisi sezonin me Emanuel Egbo në stol, më pas drejtimin e mori Nevil Dede, që tashmë është larguar për t’i hapur rrugën një tjetër kolegu. Klubi nuk ka mbajtur akoma një qëndrim zyrtar për çështjen e trajnerit, ndërkohë që ekipin dje në stërvitje e kanë drejtuar zëvendëstrajneri Fjodor Xhafa dhe përgatitësi atletik Kostantinos Mihailidhis.
Ata do ta stërvitin grupin e futbollistëve deri në momentin që të emërohet trajneri i ri. Ndoshta kjo çështje mund të marrë zgjidhje sot. Nuk ka emra konkretë kandidatësh për momentin, ndërsa gazeta mëson se pista më e nxehtë është ajo e trajnerëve ballkanas. Presidenti Besnik Kapllanaj ka surprizuar gjithnjë kur bëhet fjalë për çështjen e trajnerit, duke përzgjedhur emra të njohur. Ai ka pasur kontakte për trajnerin e ri, ndërsa fokusi i ekipit është te ndeshja e radhës me Elbasanin, që luhet në fundjavë në stadiumin “Adush Muça”.
Fazën e parë Elbasani ka fituar në këtë fushë dhe për ballshiotët është një shans i mirë për “hakmarrje”, për më tepër që nevoja për pikë është e madhe në këtë moment. Pas disa ndeshjesh negative, ballshiotëve u duhet të reagojnë, sepse situata në tabelën e renditjes është komplikuar jo pak. Me Elbasanin bën punë vetëm trepikëshi.