Dy javë para përfundimit, pesë skuadra janë ende në lojë për mbijetesë në “Abissnet Superiore”. Kombinimet e rezultateve për mbijetesën janë të shumta, vetëm Teuta është e sigurt që shpëton matematikisht edhe nga play-out nëse fiton kundër Tiranës, ndërsa Laçi është i dënuar për gjashtë pikë.

Pesë skuadra në luftë për mbijetesën në Abissnet Superiore, kur kanë mbetur vetëm dy javë nga sezoni i rregullt. Në lojë janë vetëm gjashtë pikë të mundshme për secilën, për dikë mjaftueshëm e për të tjera shumë pak, duke mos e pasur plotësisht në dorë fatin e tyre. Nga Teuta e vendit të gjashtë deri te Laçi i vendit të fundit diferenca është pesë pikë, por me vendin e parafundit, që gjithashtu të çon direkt në Kategorinë e Parë diferenca është vetëm dy.

Durrsakët vizitojnë Tiranën javën e ardhshme dhe një fitore e mundshme do t’i shpëtonte matematikisht nga rënia direkt dhe nga play-out, edhe nëse Skënderbeu e Bylis fitojnë këtë javë, pasi në javën e fundit këto të dyja ndeshen bashkë në Korçë dhe vetëm skuadra fituese mund t’i kapërcejë durrsakët. Por për të shpresuar deri te fitorja në Korçë javën e fundit, Skënderbeu e Bylis duhet më parë të kapërcejnë ndeshjet e vështira të javës së 35-të, kur korçarët vizitojnë Egnatian, ndërsa Bylis pret Partizanin, në një ndeshje ku të dyja skuadrat duan pikë.

Nëse Tirana, që me renditjen aktuale shkon në play-out, fiton kundër Teutës, atëherë në javën e fundit do t’i mjaftonte të arrinte të njëjtin rezultat si Bylis, në rast se ballshiotët mundin Partizanin, apo të merrte një pikë me Dinamon për të shpëtuar të paktën nga rënia direkt, duke qenë se në përballjet direkt ka avantazh si ndaj ballshiotëve edhe ndaj Laçit.

Kombinimet e rezultateve në javët e fundit janë të shumta, ndërsa Laçi është skuadra e vetme që nuk mund të bëjë shumë logari. Me tri pikë më pak se vendi i tetë, bardhezinjve iu duhen vetëm dy fitore në ndeshjet kundër Dinamos në shtëpi dhe Vllaznisë në Loro Boriçi për të përmbushur misionin e mbijetesës.