Punimet në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi” po shkojnë drejt fundit teksa tashmë është mbjellë edhe bari i ri. Një proces i cili po bëhet çdo vit në këtë impiant sportiv sepse mesa duket e ka mëse të domosdoshme një gjë të tillë.

Punonjësit e këtij terreni janë kujdesuar gjatë gjithë këtyre ditëve për t’ia bërë të gjitha shërbimet fushës në mënyrë që ajo të rikuperohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Punimet kanë nisur në fillimin e javës dhe prezent kanë qenë edhe përfaqësuesit e firmës greke që e pat shtruar këtë tapet. Procesi ka zgjatur disa ditë dhe tashmë pritet dalja e barit të ri.

Kjo do të zgjasë rreth tre javë. Në këtë mënyrë, në këtë impiant sportiv nuk do të zhvillohet asnjë ndeshje futbolli për një periudhë gati njëmujore.

Ideja është që takimi i parë i cili do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të jetë ai i datës 24 tetor në mes Vllaznia U19 dhe Astanës, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kampioneve të Europës për të rinjtë.

Punimet e kryera sëfundmi në tapetin e stadiumit kanë qenë të domosdoshme sepse gjendja e tij pat ardhur duke u degraduar. Siç dihet, në “Loro Boriçi” do të luhet në nëntor ndeshja e Ligës së Kombeve në mes Shqipërisë dhe Uellsit dhe patjetër që duhej një fushë cilësore për të pritur një takim të tilë.

Gjatë kësaj periudhe, Vllaznia do të jetë e detyruar t’i zhvillojë ndeshjet e saj në fushën sportive “Reshit Rusi” të paktën deri në gjysmë të nëntorit. Kjo mund ta penalizojë disi atë megjithatë duket se nuk ka zgjidhje tjetër.
© shkodrasport.com