Kur kanë mbetur edhe më pak se tre javë deri në startit e Kategorisë Superiore, i cili është parashikuar të fillojë më datë 24 gusht, asgjë nuk është më e sigurt nëse kampionati do të nisë apo jo, për të gjitha problemet që kanë dalë në pah.

Kështu, fillimisht është situata e Skënderbeut, kjo pas vendimit të CAS për të lënë në fuqi dënimin 10-vjeçar të korçarëve, apo problemeve financiare të disa klubeve, të cilat nuk kanë marrë licencimin.

Në këtë pjesë, situata e Flamurtarit duket serioze, ndërsa të përfshira janë edhe Tirana, Vllaznia e Luftëtari. Kështu, ditën e sotme pritet një mbledhje nga drejtuesit më të lartë të FSHF, teksa të gjitha opsionet do të shtrohen në tavolinë.

Ndërsa, në rast se Skënderbeu dënohet dhe zbret një kategori më poshtë, atëherë mund të kemi një finale me Besës dhe Dinamos për të zënë vendin e korçarëve. Ndërkaq, një tjetër mundësi është shtyrja e kampionatit, për t’i lënë hapësirë klubeve të plotësojnë në kohë ato çfarë iu mungojnë për të marrë pjesë rregullisht në kampionat./vipsport/