Ekipi i Skënderbeut është pozicionuar në Durrës për të zhvilluar këto javë stërvitore që lidhen me ndeshjen e radhës, atë kundër Partizanit në kryeqytet. Ekipi ka mbërritur ditën e djeshme në Durrës, ku është sistemuar në ambientet e Resort “Tropikal”.
Ndërkohë, futbollistët kanë bërë edhe një shëtitje në orët e pasdites dhe të darkës, ndërsa krejt e kundërta ka qenë për stafin drejtues të ekipit. Kështu, është mësuar se presidenti Arjan Takaj dhe stafi i ngushtë i tij kanë qenë së bashku me stafin drejtues të ekipit dhe Drejtorin Teknik, Ardi Gjançi i cili udhëheq edhe merkaton.
Tema e diskutimit ka qenë në lidhje me merkaton, ku është diskutuar edhe nga ana teknike për futbollistët që do të afrohen në ekip dhe madje janë vendosur edhe piketat se sa futbollistë do të afroheshin.
Nga burime të sigurta është mësuar se po mendohet edhe për ndonjë futbollist që mund të huazohet tek ndonjë ekip tjetër, pra askush nuk do të largohet duke prishur kontratën, por do të ketë vetëm lëvizje në formën e huazimit.
Të gjithë janë optimistë se janë gjetur të duhurit për merkato, madje drejtuesit kanë deklaruar se do të jenë futbollistë që do të bëjnë diferencë në kampionatin tonë dhe kjo është në të mirën e ekipit, prandaj realisht duhet të jenë përforcime shumë cilësore.(Marrë nga Korça Boom)