Skënderbeu po kalon një moment të mirë në kampionat. Pas dy fitoresh korçarët kanë rritur besimin e tyre në vetvete dhe kërkojnë që të shfrytëzojnë në maksimum këtë moment për të vijuar rezultatet pozitive. Ndeshja e radhës në kampionat është ajo në transfertë ndaj Elbasanit, një takim shumë i vështirë për korçarët, por edhe shumë i rëndësishëm për të lënë pas vendin e fundit në renditje.
Për këtë arsye trajneri Ernest Gjoka ka filluar menjëherë përgatitjet për këtë ndeshje që vlen më shumë se tri pikë për Skënderbeun. Gjithçka ka nisur dje me një mbledhje në dhomat e zhveshjes, ku trajneri bardhekuq ka kërkuar angazhim maksimal gjatë kësaj jave për të përgatitur si duhet ndeshjen me Elbasanin. Gjoka u ka bërë me dije lojtarëve të tij se është momenti më i mirë që duhet të shfrytëzojnë duke mos lënë asgjë të shkojë dëm pas këtyre dy ndeshjeve të mira të zhvilluara me Egnatian dhe Bylisin.
Përtej vështirësisë së këtij takimi, kryepankina korçare ka dashur të transmetojë mbështetjen dhe besimin që ka te lojtarët për të treguar të njëjtën dëshirë si në ndeshjen e fundit. Burime bënë me dije për “Panorama Sport”, se trajneri bardhekuq ka kërkuar përqendrim dhe sakrificë në këto 90 minuta tejet të rëndësishme. “Vijmë nga një fitore me shumë vlera dhe mbi të gjitha nga një lojë e interpretuar në mënyrën më të mirë të mundshme në një transfertë të vështirë.
Por duhet të lemë pas krahëve atë që arritëm të merrnim në javën e kaluar dhe të përqendrohemi te ndeshja që kemi përpara. Duhet të vijojmë me të njëjtën dëshirë dhe impenjim që unë pashë në fushë ndaj Bylisit.
I kemi të gjitha mundësitë për të bërë mirë ndaj, le ta tregojmë në fushë se sa jemi në gjendje të bëjmë. Kjo është një tjetër ndeshje e vështirë siç do të jenë të gjitha deri në fund të sezonit, por nëse ne luajmë grup siç kemi bërë në dy ndeshjet e fundit në kampionat nuk na mungon asgjë për të tentuar maksimumin. Përqendrim, sakrificë dhe vetëbesim janë tri elementet që duhet të na shoqërojnë deri në fund dhe për këtë jam i bindur se ju dini ta menaxhoni një ndeshje të tillë”- theksoi veç të tjerash kryepankina korçare në takimin me lojtarët para seancës stërvitore.