Humbja ndaj Tiranës pritej të shoqërohej me një analizë të thellë në radhët e skuadrës shkodrane.
Ajo që ishte paralajmëruar nga ana e drejtuesve ishte fakti se do të ndaleshin gjatë te humbja në shtëpi me bardheblutë.
Ata do të shikonin dhe analizonin shkaqet e kësaj humbjeje dhe do të nxirrnin në pah shkaqet që çuan në këtë disfatë të papritur.
Por, “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë kuqebluve se trajneri Tomas Brdariç dhe stafi i tij nuk janë shprehur aspak të ashpër me ekipin e tyre, për më tepër bëhet me dije se tekniku gjerman ka kërkuar nga futbollistët që të shikojnë përpara.
Gjatë analizës së djeshme, mësohet se drejtuesit nuk janë ndalur tek emrat konkretë që gabuan në takimin me Tiranën, por te loja në total e skuadrës.
Trajneri Brdariç ka kërkuar që ekipi të paraqesë më shumë grintë e dëshirë në ndeshjet në vijim, si dhe ka kërkuar të shikojnë atë Vllazninë që kanë parë të gjithë në 15 javët e para të kampionatit dhe të hedhin pas krahëve mungesën e rezultateve në ndeshjet e fundit.
Analiza e shumëpritur për të arritur te kthesa në rezultate nuk ka nxjerrë asnjë fajtor, pavarësisht se te Vllaznia gjërat nuk shkojnë siç kanë qenë në fillim.
Trajneri ka kërkuar ruajtjen e harmonisë në ekip, pasi një nga armët më të forta që ka pasur kjo skuadër ka nisur të çalojë.
Pikërisht, kjo ra në sy në takimin e fundit mes dy lojtarëve të skuadrës ka pasur një zënkë, që erdhi pas një gabimi të ndodhur, por që nuk është suportuar mirë nga asnjëra palë.
Ky incident i ndodhur mes dy futbollistëve të Vllaznisë nuk është diskutuar aspak në analizën e djeshme. Një gjë e cila duket se është sheshuar brenda familjes. Sidoqoftë, një gjë e tillë nuk është pozitive për momentet që po kalon skuadra.