Pas refuzimit të një pjesë të lojtarëve për të luajtur dje ndaj Partizanit, sot në orën 13:30 presidenti i Kamzës, Naim Qarri, ka bërë një mbledhje urgjente me skuadrën.

“Panorama Sport” mëson se futbollistët kanë kërkuar të dinë se çfarë do të bëhet me rrogat e tyre, ndërsa Qarri është treguar i sinqertë.
“Ju e dini situatën, do të mundohem t’u sajoj një pagë në ditët e ardhshme. Për atë që më takon, e kam dhënë pjesën time, tani duhet të lëvizi bashkia”, – u ka thënë kreu i klubit lojtarëve.

Këta të fundit, njëzëri ia kanë bërë të qartë presidentit, se nëse deri të mërkurën, kur dhe do të luhet ndeshja e kthimit ndaj Vllaznisë, nuk jepen pagat, atëherë nuk do të zbresin në fushë. Situatë është vërtet e trishtueshme dhe vazhdimësia e Kamzës në Superiore duket për momentin një mision i pamundur.