Sulejman Starova nuk është më trajner i Partizanit. Pas një mbledhjeje të bërë mbrëmjen e së dielës, pas barazimit dramatik me Teutën në Durrës, drejtuesit e Partizanit i kanë kërkuar trajnerit dorëheqjen dhe ai ka pranuar.
Shkak janë bërë rezultatet e fundit të skuadrës së kuqe. Partizani do të drejtohet në vazhdim nga Klevis Dalipi, i cili e ka drejtuar ekipin e kuq në disa ndeshje, kur trajneri Starova ka qenë i dënuar nga Komisioni i Disiplinës.
Lajmin e bën të ditur faqja zyrtare e klubit, që shkruan:
Pas barazimit 1–1 të arritur në Durrës ndaj Teutës, bordi drejtues i klubit zhvilloi mbrëmjen e së dielës një mbledhje urgjente.
Duke analizuar situatën aktuale dhe objektivat që ekipi synon për pjesën e mbetur të sezonit, drejtuesit e klubit kanë kërkuar dorëheqjen e Sulejman Starovës nga drejtimi i ekipit, vendim i cili është pranuar edhe nga traineri Starova.
Në vijim të sezonit futbollistik drejtimin e skuadrës do ta marrë Klevis Dalipi.
Një ndryshim i tillë është konsideruar i domosdoshëm nga drejtuesit në kuadër të strategjisë së rinovimit dhe për ti dhënë një impuls pozitiv lojës dhe rezultateve të skuadrës.
Klubi falenderon trainerin Sulejman Starova për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në klub dhe në drejtimin e skuadrës./vipsport/