Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet sot në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme. E programuar qysh në mars për këtë ditë, FSHF do të diskutojë online për ecurinë e këtij edicioni dhe vijimin e garës në kushtet e Covid-19.
Vetë Sekretari i Përgjithshëm i këtij organizmi, Ilir Shulku iu është drejtuar anëtarëve rreth 2 muaj më përpara për këtë veprimtari, ndërsa tema kryesore e diskutimit padyshim do të jetë “mposhtja” e coronavirusit dhe vijimi i garës, edhe pse pa spektatorë.
Presidenti Armand Duka ka theksuar rëndësinë e stërvitjes në grup për çdo ekip që të rinisë garën në kushtet e duhura, ndërsa planet e FSHF-së janë ndalur nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që deri në këto momente nuk ka dhënë asnjë përgjigje, ndërsa janë lejuar stërvitjet individuale në 18 maj.
Në kushtet kur institucioni i futbollit kërkon që gara të rinisë në 31 maj dhe qysh sot të nisnin stërvitjet individuale në fushën e blertë. Asambleja e FSHF-së padyshim që do ketë si temë kryesore diskutimi, përcaktimin e skenarëve të tjerë për vijimin e garës, ose pezullimin e saj./newsport/