Pasditen e sotme ka qenë planifikuar për t’u zhvilluar Asambleja e Klubit të Futbollit Vllaznia dhe në fakt këtë herë ajo nuk ka dështuar siç ndodhi para gjashtë ditësh. Në mbledhjen e rradhës, jo vetëm që ka qenë i pranishëm numri i duhur i këshilltarëve (në sallë kanë qenë 35 vetë) por edhe të gjithë ata i kanë miratuar njëzëri dy pikat e rendit të ditës.

Bëhet fjalë për pasqyrat financiare të vitit 2016 si dhe të aprovimit të një fondi prej 170 milionë lekësh të vjetra të cilin në fakt e kanë miratuar që më 3 gusht por ky vendim u kthye nga Prefekti sepse duhej miratuar nga Asambleja dhe jo nga Këshilli Bashkiak. Përveç miratimit të këtyre dy pikave sigurisht që ka patur edhe diskutime të ndryshme në lidhje me ecurinë e skuadrës dhe të klubit teksa nuk kanë munguar edhe kritikat për mënyrën si është menaxhuar klubi apo dhe fakti tjetër që të gjithë kanë qenë të mendimit se vetëm privatizimi është zgjidhja e duhur për klubin. Sakaq me propozimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, z. Xhemal Bushati, është miratuar edhe një kërkesë e këtij Këshilli drejtuar kryebashkiakes Ademi për ta autorizuar atë të negociojë me FSHF-në për mbylljen sa më parë të punimeve në stadiumin “Loro Boriçi” dhe marrjen në dorëzim të këtij impianti sportiv. E rëndësishme është që pavarësisht debateve, është miratuar fondi i duhur me të cilin do të paguhen dy rrogat e prapambetura të futbollistëve të ekipit të Vllaznisë.

© shkodrasport.com