Koinçidencë vërtetë e bukur ajo e ditës së djeshme. Pikërisht një ditë pas “deklaratës bombë” të kryeministrit Sali Berisha që deklaronte se presidenti Agron Çela ka ikur dhe e ka lënë në baltë Vllazninë prandaj duhej gjetur një president tjetër për të, është mbledhur Këshilli Bashkiak Shkodër. Shumëkush ka menduar se një mbledhje e tillë është bërë për të shkarkuar zyrtarisht Çelën nga posti I presidentit të klubi, ngaqë vetëm ky organ ka të drejtë ta bëjë atë dhe jo kryeministri e askush tjetër. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu.

Mbledhja. Data 28 ka qenë e caktuar prej kohësh për këtë mbledhje të rradhës të këtij Këshilli dhe në rendin e ditës nuk ka patur asnjë pikë për sportin. Ka qenë thjesht miratimi I ndihmës ekonomike për këtë muaj dhe dy pika të tjera të cilat kanë kaluar shpejt e shpejt me miratimin e këshilltarëve dhe kaq. Një mbledhje që nuk ka zgjatur më shumë se 45 minuta por në asnjë moment gjatë saj nuk është diskutuar fare për sportin dhe për Vllazninë. Në kushte të tilla, Agron Çela vazhdon të jetë president I Vllaznisë pavarësisht deklaratës së kryeministrit Sali Berisha. Në fakt që ditën e djeshme një deklaratë e tillë u kuptua qartë se do ishte në kuadrin e fushatës elektorale. Fakti që palët I takojnë forcave të ndryshme police, natyrisht që do nxirrte në skenë edhe një polemikë të tillë herët a vonë sepse ajo përflitet prej kohësh por veçse jo në media. Megjithatë biznesmeni Çela ka firmosur një akt- marëveshje me Bashkinë Shkodër për administrimin e klubit të futbollit Vllaznia më 30 janar të këtij viti  dhe ajo ka marrë fuqi ligjore vetëm pasi është miratuar në Këshillin Bashkiak të atij qyteti. Do jetë vetë ky Këshill që mund ta prishë atë kontratë megjithatë kjo nuk është e lehtë për t’u bërë. Janë disa pika të saj që përcaktojnë qartë mënyrën e prishjes dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me këtë funksionim dypalësh të klubit deri më 30 qershor të vitit 2015.
Çela. Pas përgjigjes së dhënë një ditë më parë kryeministrit, ai ka vazhduar punën e tij. Ka vazhduar fushatën elektorale dhe bashkë me të edhe punën për ndërtimin e një skuadre pretendente për sezonin  e ri. Kjo sepse në rast se Vllaznia nuk arrin në fund të sezonit të ardhshëm të sigurojë një vend që do ta çonte atë në Kupat e Europës, kontrata me presidentin Çela prishet automatikisht. Prandaj atij I intereson që të mos ndodhë kështu dhe për rrjedhojë do bëjë çmos që të gjejë lojtarët e duhur për ndërtimin e një skuadre të fortë. Në bashkëpunim edhe me trajnerin Bushati, thuhet se janë duke menduar për lojtarët që do marrin madje duket se tashmë ka ardhur momenti që të fillojnë të bëhen realitet premtimet e bëra. Brenda javës është thënë se do vijnë 3 futbollistët e parë nga merkatoja, madje do bëhet edhe prezantimi I tyre. Pavarësisht atyre se çfarë fliten në opinionin publik, presidenti Çela në çdo dalje të tij në media ka garantuar një skuadër shumë cilësore në sezonin e ri. Ndërkohë trajneri Bushati ka thënë se është herët për merkato sepse me përjashtime të vogla asnjëra skuadër ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje me përjashtime të vogla. Ndoshta të dy ata I kanë lënë t’I bëjnë shpejt e shpejt dhe të kenë efektin e duhur në kohën e duhur.
Gjergj KOLA