FSHF-ja do të organizojë sot edicionin e tretë të mbrëmjes gala “Topi i Artë 2024”.
Spektakli më i madh i futbollit shqiptar do të mbahet në Teatrin e Operës dhe Baletit, teksa do të jetë një mbrëmje feste, e gjitha për t’u shijuar nga të pranishmit në sallë e ndjekësit nga televizioni. Siç është bërë e ditur më herët, spektakli do t’u kushtohet arritjeve të futbollit shqiptar dhe suksesit të ekipit kombëtar në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.
Do të jepen 9 çmime përgjatë kësaj mbrëmje, teksa nuk do të mungojnë as surprizat qe do ta bëjnë mbrëmjen të paharruar. Futbollistët e nominuar për çmimin: “Topi i Artë 2024” janë: Bekim Balaj, Arinaldo Rrapaj, Albano Aleksi dhe Ermir Rashica dhe Balaj duket se është kandidati kryesor për ta fituar atë.
Ky çmim do të jepet edhe për kategorinë e vajzave, ku edhe aty futbollistja e Vllaznisë Ezmiralda Franja është ndër kandidatet kryesore për ta fituar atë, ndërkohë çmime do të shpërndahen edhe për trajnerin apo arbitrin e vitit.