Mbrëmjen e sotme u mbajt ceremonia e “Topit të Artë 2024”. Një mbrëmje e magjishme ku nuk munguan trofetë e shumtë që u shpërndanë për protagonistët e futbollit shqiptar, qoftë për djem apo për vajza.

Bekim Balaj ishte fitues i “Topit të Artë” dhe “Këpucës së Artë”, ndërsa çmime u ndanë edhe për arbitrin Juxhin Xhaja, futbollistet vajza Xhesika Ndoj dhe Ezmiralda Franja, por edhe për trajnerin Edlir Tetova, Berat Gjimshitin, Ylber Ramadanin dhe Ermir Rashicën.

Në përfundim të kësaj mbrëmje, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka reaguar në rrjetet sociale. Në profilin e tij zyrtar, presidenti i FSHF-së e quan këtë mbrëmje të kuruar dhe plotë shkëlqim, teksa thekson se një sfidë si organizimi i Europianit U-17 po i pret në të ardhmen.

Postimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

Topi i Artë 2024
Një mbrëmje e kuruar, plot shkëlqim, që e ndamë me gjithë shqiptarët përmes TV Klan nën moderimin e Ardit Gjebresë dhe Almeda Abazit.
Mes personaliteteve të shumta, Kryeministrit Edi Rama, Presidentit të FFK, Agim Ademi, ish-futbollistit të mirënjohur Gaizka Mendieta dhe shumë personaliteve të botës së futbollit dhe jo vetëm, ndamë sukseset e një viti historik për futbollin shqiptar, si dhe vlerësuam futbollistët, futbollistet, trajnerë e arbitra me çmimet më të rëndësishme për atë që dhanë në fushë në vitin 2024.


Përpara na presin sfida të reja, si Europiani U-17, që do ta organizojmë në vendin tonë, pas një viti ku ishim organizatorë të 13 turneve zyrtarë ndërkombëtarë. Në vazhdim do të vijojmë të punojmë fort, që pas 17 fushave të shtuara në vitin 2024, t’i shtojmë komunitetit tonë të tjera terrene sportive.
Lartësuam me krenari flamurin shqiptar në EURO 2024 dhe e kemi bërë këtë përmes Kombëtares kudo ku kemi luajtur. Tani është momenti të shohim përpara, të punojmë fort dhe të ëndërrojmë Botërorin 2026.
Faleminderit!