Ndoshta miqësorja mes Shqipërisë e Uellsit nuk ka ndonjë vlerë të madhe, por për mbrojtësin Chris Gunter do të jetë një natë e paharrueshme.
Futbollisti 29-vjeçar do të luajë sot ndeshjen numër 93 me fanellën e kombëtares, duke thyer në këtë mënyrë rekordin e vendosur nga Neville Southall, i ndalur te 92 ndeshjet.
Trajneri Ryan Giggs ka konfirmuar se Gunter do të jetë titullar në Elbasan: “Chris e meriton të luajë nga fillimi, po vendos një rekord madhështor, që tregon përkushtimin dhe karakterin e tij”.
Vetë Gunter tha: “Do jetë një mbrëmje e veçantë, por duhet të përqendrohemi te ndeshja dhe paraqitja. Duket sikur ka kaluar një përjetësi që kur debutova në Wrexham. Është një udhëtim plot luhatje, por kur shoh pas, ndjej krenari dhe jam i nderuar.
Shumë nga tifozët që do jenë në Elbasan kanë qenë anembanë ku unë kam luajtur për kombëtaren dhe është një nder i madh që e vendos këtë rekord përballë atyre tifozëve që kanë shpenzuar paratë e fituara me djersë për të ndjekur kombëtaren nëpër Europë. Kur sheh listën e lojtarëve që kanë luajtur për Uellsin, nuk të shkon kurrë mendja se mund t’i lësh pas në renditje”.
Gunter sqaroi edhe shakanë se do i kërkonte shokut të skuadrës Gareth Bale të merrte avionin privat borxh, për të transportuar familjarët e tij për në Shqipëri: “Është një ndeshje shumë e veçantë, por asnjë nga familja ime nuk do jetë në Elbasan. Bëra shaka kur thashë që do merrja avionin personal të Bale”./telesport/