Paderborni u ngjit në këtë sezon në Bundesligë, teksa ekipi po lufton që të qëndroj në elitën e futbollit gjerman. Lufta sportive reflektohet edhe në fushë, ndërsa si pjesë e Paderborn është edhe mesfushori i Kombëtares, Klaus Gjasula. 30-vjeçari është një digë në mesfushë dhe jep një kontribut të madh për skuadrën.
Për vetë pozicionin e tij në fushë por edhe për karakteristikat luftarake, Gjasula është një nga ata lojtarë që shpesh ndëshkohen nga arbitrat. Dhe, në ndeshjen e djeshme ndaj Frajburg (skuadrës së Abrashit), Gjasula mori kartonin e radhës.
Në minutën e 14. Mesfushori u ndëshkua me karton të verdhë, teksa regjistroi edhe një rekord në lidhje me kartonët. Tashmë, mesfushori është futbollisti i dytë në historinë e Bundesligës që regjistron dhjetë kartonë të verdhë në 18 ndeshje.
Një statistikë jo edhe aq për t’u mburrur, megjithatë shfaq grintën e Gjasulën në fushë. Grintë e cila ka spikatur edhe te Kombëtarja, ku Gjasula cilësohet si një gjetje e trajnerit Edi Reja.
Sakaq, kartoni i verdhë në sfidën përballë Abrashit në fund ia vlejti, pasi ekipi i Gjasulës mori tre pikë të rëndësishme duke fituar me rezultatin 0-2 ndërsa renditen në vendin e parafundit të Bundesligës. /VipSport/