Mbreti i Marokut Mohamedi i VI-të doli në rrugë me popullin e tij për të festuar fitoren ndaj Spanjës në raundin e 1/8-ave. Për çerekfinalen ai preferoi të shmangte festimet për arsye të rendit publik pasi entuziazmi i arritjes në gjysmëfinale ishte i jashtëzakonshëm.
Tani ai duhet të vendosë nëse do ta pranojë ftesën e emirit të Katarit, Al Thani, i cili e ftoi në Doha për ndeshjen kundër Francës. Mohamedi i VI-të nuk ka folur ende, ashtu siç nuk ka thënë asgjë për çmimin që do t’u dhurojë heronjve të tij. Në Marok ka zëra të ndryshëm, të gjithë milionerë, por asnjë konfirmim. Lartmadhëria e tij është në raporte të shkëlqyera me Fouzi Lekjia, president i federatës dhe ministër buxheti i qeverisë marokene, dhe të dy po diskutojnë se si të shpërblejnë Regreguin dhe djemtë e tij.
GARANCI – Tani për tani ka disa siguri: për kualifikimin në Katar 2022, ndërkombëtarët marokenë morën nga një milion dirhamë secili, rreth 91,000 euro. Një shifër jo e madhe duke pasur parasysh se federata e futbollit kishte marrë 11.6 milionë euro nga FIFA. Tani, megjithatë, aksionet janë rritur në mënyrë drastike.
Me pushtimin e gjysmëfinales Federata e Marokut do të marrë minimalisht 23.7 milionë euro, çmimi i rezervuar për ata që përfundojnë në vendin e katërt në Botëror. Vendi i tretë vlen 25.6 milionë, finalja 28.4, triumfi gati 40 milionë. Federata Marokene e Futbollit ende nuk ka bërë të ditur se sa do t’u japë lojtarëve dhe në Rabat janë të sigurt se Mohamedi i VI-të, sido që të shkojë me Francën, do t’i shtojë një dhuratë personale çmimit të FIFA-s për lojtarët. “Luanët e Atlantit” kanë bërë historinë, tani me të drejtë mund të kërkojnë shpërblimin më se të merituar.