Vështirë të ketë një tifoz a dashamirës të Partizanit që të thotë se një si Labinot Ibrahimi nuk i mungon skuadrës së sivjetshme të të kuqve. Ish-mbrojtësi i demave, i cili prej dy sezonesh është pjesë e Arbërisë në Kosovë, ka dhënë një prononcim ekskluziv, ku ka treguar rreth ecurisë së Arbërisë dhe ekipit ku ai çoi 6 vitet më të suksesshme të karrierës, Partizanit.

Mbrojtësi tregon se të kuqtë nuk kanë lënë përshtypje të mirë tek ai në këtë sezon dhe kritikon lojën mbrojtëse dhe mënyrën se si e pësuan golin ndaj Vllaznisë. 36-vjeçari ndjen keqardhje për pafuqinë e Partizanit për të shënuar, edhe pse Vllaznia ishte me një lojtar më pak në fushë.
ADVERTISEMENT

Labi, siç e thërrisnin te Partizani, veçon ndeshjet më të veçanta te të kuqtë dhe ka një përshëndetje për klubin, ku u ndie si në shtëpi.

Si po shkon eksperienca juaj tek Arbëria dhe cilët janë objektivat në këtë sezon?
Eksperienca tek Arbëria po shkon shumë mirë, madje nuk e kam pritur në këtë nivel. Kemi një ekip shumë të mirë dhe jemi në rrugën e duhur për t’u ngjitur sërish në Superligë sepse ky klub e meriton të luajë në elitën e futbollit të Kosovës. Objektivat e klubit janë shumë të qartë që nga fillimi. Duam të rikthehemi në Superligë dhe të luftojmë me ekipet më të forta në vend.

E keni ndjekur Partizanin, keni një koment për lojën e tyre?
E kam ndjekur Partizanin sa herë kam pasur mundësi. Të them të drejtën nuk më ka pëlqyer shumë paraqitja e ekipit deri më tani në këtë sezon sepse dihet se Partizani gjithmonë lufton për titullin kampion, por për ta bërë këtë, duhet ta duash atë që bën dhe të japësh gjithçka nga vetja jote, t’i shpalosësh gjitha aftësitë. Ajo që më bën më shumë përshtypje është mungesa e Alban Hoxhës, shpresoj të kthehet sa më shpejt nga dëmtimi. Është legjendë e Partizanit.

Si e vlerësoni repartin e mbrojtjes së të kuqve?
Për mbrojtjen, përveç Belicës dhe Alban Hoxhës, nuk njoh askënd tjetër. Mund të them se lënë për të dëshiruar. Mungon shumë agresiviteti, komunikimi mes tyre dhe dëshira për të fituar. Gjithsesi, ndoshta mungesa e rezultateve, presioni i ushtruar mbi ta për të bërë sa më mirë, ka ndikuar.

Si ju duk Partizani në tërësi ndaj Vllaznisë dhe si e komentoni golin e pësuar?
E pashë ndeshjen ndaj Vllaznisë dhe me të vërtetë më vjen keq për mënyrën se si e pësoi atë gol Partizani. E thashë edhe më lart, duhet komunikim dhe fokusim 100% sepse kundërshtari në një që krijon, të dënon. Ajo që nuk më ka pëlqyer dje dhe më bën të ndihem keq është se luanin ndaj një kundërshtari me një lojtar më pak dhe nuk gjuajtën një herë në portë.

A ka forcë Partizani për të luftuar për titullin kampion?
Normalisht që Partizani ka shanse për të fituar titullin sepse jemi vetëm në fazën e dytë dhe ka ende shumë kohë për të rikuperuar. Çdo pikë e marrë është në favorin e tyre, por për të shkuar te titulli duhet më shumë sforcim, më shumë dëshirë dhe të gjithë të lënë zemrën në fushë. Një për të gjithë dhe të gjithë për një! Të jenë një trup i vetëm. Që Partizani të kalojë këtë gjendje duhet shumë vetëbesim dhe bashkëpunim. Partizani nuk e meriton aspak këtë gjendje që ndodhet.

Si ju duket gara e Superiores në këtë sezon?
Të gjitha ekipet janë në një nivel të ngjashëm. E veçanta e këtij sezoni është se të gjithë mund t’i mundësh dhe të gjithë mund të të mundin. Kjo e bën garën shumë të hapur dhe mendoj se kështu do të shkojë deri në fund.

Na thoni dot ndeshjen më të bukur të 6 viteve tuaja te Partizani?
Nuk mund të veçoj vetëm një, por tri prej tyre. E para është ndaj Skënderbeut në “Qemal Stafa”, kur kemi fituar 2-1 dhe unë kam shënuar një super gol. Ndeshja tjetër ka qenë ajo ndaj Tiranës, të cilën e fituam dhe fituam titullin kampion. Ishte shumë vendimtare dhe shumë bukur ta siguronim titullin në atë sfidë. E fundit ka qenë ndaj Ferencvaroshit në Europa Ligë, kur arritëm të fitonim pas 120 minutave të zjarrta.

Në fund, dua të përshëndes të gjithë klubin e Partizanit sepse kam qenë si në shtëpinë time në ato 6 vite. Më kanë pritur shumë mirë, nga presidenti e deri te punëtori më i thjeshtë. I falënderoj edhe tifozët që më kanë dhënë gjithmonë zemër dhe shpresoj që Partizani të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje.