Tirana do një mbrojtës dhe kjo tashmë nuk është më sekret. Bardheblutë janë vënë në kërkim të një lojtari për të përforcuar fazën difensive.

Krahët janë të kompletuar me Hoxhallarin dhe Kërçikun, ndërsa tashmë po shihen mundësitë për qendrën e saj. Një nga lojtarët e përfolur është futbollisti i Vllaznisë, Sedat Berisha.

Ky i fundit zhvilloi një gjysmë sezoni të mirë me shkodranët, megjithatë për fatin e tij të keq, kuqeblutë zbritën një kategori më poshtë.

Për të mësuar më shumë rreth të ardhmes së tij, newsport.al kontaktoi pikërisht qendërmbrojtësin. Ai deklaroi se nuk ka asgjë të vërtetë dhe theksoi se është i lumtur që vazhdon të jetë pjesë e Vllaznisë.

“Unë jam lojtar i Vllaznisë dhe kam kontratë deri në janar. Gjithmonë kam dashur të mbështes karrierën time me profesionalizëm dhe kështu do të jetë edhe tani.

Përkundër faktit që me Vllazninë nuk mbetem në Superiore, unë gjithmonë kam dhënë maksimumin dhe jam shumë i kënaqur me respektin që më bëhet në Shkodër.

Duke qenë nën kontratë, pa vendosur me drejtuesit e Vllaznisë për të ardhmen, nuk kam ndërmend të marr asnjë hap tjetër. Realisht askush s’më ka kontaktuar dhe gjithçka që di është ajo që lexoj në media.

Por, e përsëris: Unë jam ende futbollist i Vllaznisë dhe ashtu si i respektoj unë tjerët, dua të jem edhe unë i respektuar, përfshirë edhe mediat.

Është përmendur Tirana dhe kjo gjithashtu është diçka që e dëgjoj për herë të parë. Kam respekt për këtë skuadër dhe nëse vërtetë kanë shprehur interes për mua, unë ndihem i vlerësuar.

Nuk e di çfarë mund të ndodhë nesër apo në të ardhmen, por ju bind se paralel me faktin që unë jam lojtar i Vllaznisë, jam i lumtur në Shkodër dhe derisa dikush nga klubi nuk më thotë të largohem, nuk shikoj arsye të flas me tjetër klub“, ka deklaruar për newsport.al, Sedat Berisha.