Esin Hakaj, mbrojtësi i majtë i kuqebluve, është i mendimit se Vllaznia do ta mbyllë me fitore përballjen e fundit për këtë vit kalendarik. Shkodranët do të luajnë ndaj Kukësit ditën e enjte, një sfidë e vështirë për ta. Do të ndeshen vendi i dytë me të tretin. Sfida shikohet decizive edhe për sa i përket ecurisë së shkodranëve në vazhdimësi. Megjithatë, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi Hakaj nuk e merr me presion këtë sfidë, por kërkon që dueli ndaj kuksianëve duhet të merret vetëm si takimi i radhës.
Barazuat ndaj Dinamos, por loja la shumë për të dëshiruar…
Çdo skuadër ka momentet e veta të mira dhe të këqija. Mendoj se takimi ndaj Dinamos duhet ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë ekipi nuk e gjeti aspak veten. Ndërsa në pjesën e dytë zotëruam më shumë topin dhe në momente të veçanta edhe mund ta kishim fituar takimin.
Do të jetë pikë që mund të “dhembë” në fund?
Normalisht që çdo pikë e lënë dhemb. Dinamo nuk është një skuadër për të thënë se lamë pikë me ta dhe janë pikë ndaj një ekipi të dobët. Dinamo ka një skuadër të mirë që mund t’i nxjerrë punë çdo pretendenti. Janë thjeshtë momente. Ne duhet që të mendojmë për të rikuperuar pikët e lëna dhe të mos shikojmë pas, por vetëm përpara.
Rritet sërish diferenca me kryesuesit, ju shqetëson kjo?
Ka kohë për të thënë se jemi në lojë apo larg pretendimeve. Për mendimin tim diferenca si u rrit mund edhe të zvogëlohet. Tani mendoj se duhet që të shikojmë vetëm takimin e radhës.
Si e shikoni përballjen e së enjtes ndaj Kukësit të vendit të dytë?
Do të jetë në përballje e fortë për ne. Pavarësisht se do të luajmë në shtëpi presim që të mbështetemi sërish prej tifozërisë sonë të mrekullueshme. Gjithsesi, mbetet një përballje e fortë.
A është fitorja objektivi i vetëm për Vllazninë në këtë takim?
Një gjë e tillë është e ditur. Nuk duhet ta diskutojmë, pasi objektivi ynë mbetet vetëm fitorja. Përballje të tilla lënë gjithçka të hapur, por ne synimet i kemi të qarta.
Një humbje apo barazim ndaj Kukësit mund ta bëjë më të vështirë ecurinë për titull?
Nuk mendoj se një rezultat negativ ndaj një kundërshtari direkt mund ta ndërlikojë situatën për titull. Rruga është e gjatë dhe takime ka shumë, por të jem i sinqertë nuk e mendoj që Vllaznia do të ketë një rezultat negativ në këtë sfidë.