Edi Reja bëhet gati të drejtojë pas pak ditësh për herë të parë përfaqësuesen shqiptare të futbollit. Trajneri italian ka kaluar këtë muaj duke monitoruar të gjithë futbollistët kuqezi e shumë shpejt do të bëjë publike listën për një minfaze përgatitore të ndarë mes Shqipërisë e Gjermanisë si dhe ndeshjet ndaj Islandës e Moldavisë.

Futbollistëve kuqezi do t’u duhet të djersijnë shumë për të fituar një vend mes të preferuarve të trajnerit, përndryshe do të kenë të vështirë të gjejnë hapësira. Me sa duket, tekniku zgjedh gjithmonë një grup të preferuar dhe ndryshon shumë pak, një paralajmërim i cili vjen direkt nga Italia dhe nga një futbollist i cili ka qenë nën urdhrat e Rejas në vitet kur ai drejtonte Napolin, Fabiano Santakroçe.

Duke folur për radiot napolitane, ai ka komentuar edhe vitet 2007-2011, kur vishte fanellën e kësaj skuadre dhe nuk gjeti hapësira në ekip, sidomos në vitin e parë të tij kur Reja ishte trajner. “E dua shumë qytetin dhe këtë skuadër, kam dhënë gjithçka për të. Ndjehem napolitan dhe jam tifozi i parë në çdo ndeshje.

Por me trajnerin në atë epokë nuk ishte e lehtë të luaje nëse nuk ishe mes të preferuarve të tij” ka zbuluar ish-mbrojtësi i cili në dy vitet e tij të para te napolitanët u vu nën urdhrat e trajnerit aktual të përfaqësueses shqiptare. /vipspor/