Ballshiotët janë të fokusuar te sfida me Laçin, teksa dje janë stërvitur me grup të plotë. Trajneri Nevil Dede në këtë duel nuk do të ketë gati vetëm një nga lojtarët titullarë, Marin Abazajn, pasi kapiteni u ndëshkua me të verdhë ndaj Dinamos në Ballsh dhe plotësoi numrin 4 të ndëshkimeve.
Sakaq, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur Aurel Marku, autor i një goli kundër Tiranës dhe Dinamos. Mbrojtësi po shfaqet shumë i rëndësishëm dhe në një version “bomber”.
“Jam shumë i lumtur, mbi të gjitha që skuadra fitoi, por edhe që shënova edhe në Kupën e Shqipërisë, pas atij goli ndaj Dinamos në kampionat.
Po luaj si titullar, dihet që Superiorja është e vështirë, por po punoj shumë këtë vit.
Shpresoj që të jem në formë dhe për këtë do të shtoj forcat e mia, të luaj si titullar dhe të ndihmojmë të gjithë bashkë skuadrën që të realizojë objektivat. Shpresoj shumë që duke luajtur në elitë, të bëhem edhe pjesë e Shpresave U-21, pasi kam provuar që të jem pjesë e gjithë kombëtareve të moshave”, tha lezhjani i Bylisit.