Ish-mbrojtësi i Murlanit, Rigers Sekja, duket se sezonin e ri do të ndjekë një aventurë të re tek skuadra e Adës. Në fakt, “Shkodra Sport” e kishte paralajmëruar edhe para pak ditësh një gjë të tillë dhe ky lajm është konfirmuar nga vetë ekipi i Adës së Velipojës.
Ashtu edhe si Kaçubela, Sekja duket se është bindur nga ana e trajnerit Altin Xhahysa për të ndjekur këtë aventurë të re tek skuadra velipojake, e cila poashtu si Murlani, militon në Kategorinë e Dytë.
Në fakt, Sekja luajti javën e kaluar në rradhët e Murlanit në ndeshjen e Kupës ndaj Veleçikut, por gjërat kanë marrë një rrjedhë tjetër me emërimin e Xhahysës në pankinën velipojake. Kështu, nisur edhe nga raportet mes dyshes Sekja-Xhahysa, është rënë dakord që edhe mbrojtësi të ndjekë trajnerin në këtë përvojë të re.
Sezonin e kaluar, Rigers Sekja zhvilloi 19-ndeshje me Murlanin, teksa ka arritur të shënojë edhe një gol me këtë ekip. Ndërkohë që, tashmë për mbrojtësin shkodran nuk mbetet gjë tjetër, por vetëm të tregojë vlerat e tij dhe për të bërë më të mirën në fushën e lojës.
Maringlen ZHIVANI