Dajan Shehi, qendërm brojtësi i Vllaznisë, është i bindur se ekipi i tij do të vijojë të jetë deri në fund pretendent për fitimin e titullit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai e quan si tepër pozitiv faktin që tani të gjitha ekipet janë në lojë si për titull, Europë e mbijetesë. Vllaznia sipas tij do të jetë pretendente për Europën, si nga kampionati dhe nga Kupa.


Vllaznia la dy pikë apo fitoi një në përballjen ndaj Partizanit?

Vllaznia luajti kundër një skuadre të fortë si Partizani, por në fushë ne jemi futur për ta fituar atë ndeshje. Mundësitë i kishim dhe nuk i shfrytëzuam, gjithsesi ashtu siç shkoi ndeshja jemi të kënaqur dhe me barazimin.


Me këtë barazim, sërish lëshuat vendin e parë me një gol më pak. Besoni se shumë shpejt do të ngjiteni sërish aty?

Jemi me pikë të barabarta me Teutën, por në lojë janë edhe tri skuadra të tjera që janë shumë afër. Janë edhe shumë ndeshje në lojë, por kam besim se do jemi në fund në këto pozita dhe do të realizojmë objektivat që ka klubi.


Tani në lojë për titull edhe për Kupat e Europës është futur edhe Tirana, ju shqetëson ky fakt?

Tirana ka një skuadër shumë të fortë dhe do të jetë aty deri në fund, por gara është shumë e fortë si për kampion, Europën dhe për mbijetesën. Më mirë që janë në lojë të gjitha ekipet sepse mendoj që nuk do ketë aleanca, si dhe fusha e lojës do t’i tregojë të gjitha.


Rrezikon Vllaznia përmes kampionatit daljen nga Kupat e Europës?

Ky kampionat është shumë i çuditshëm, janë dhe 10 ndeshje deri në fund të sezonit, por duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe kam besim se ne do të marrim pjesë në Kupat e Europës.

Të shtunën do të jeni në Laç, kundër të vetmit ekip që s’keni marrë asnjë pikë. Keni besim se kësaj here mund të jetë ndryshe?

Laçi ka një ekip shumë cilësor, me lojtarë shumë të mirë. Çdo ekip që ka luajtur me Laçin e ka pasur shumë të vështirë, normalisht që do jetë një ndeshje e fortë, por ne do të shkojmë për fitore. Me çdo ekip që luajmë futemi në fushë për ta fituar ndeshje sepse e dimë që jemi ekipi më i mirë.


Kupa a do të jetë objektivi i Vllaznisë, për më tepër për të thënë se ky ishte sezoni juaj?

Kupa dhe kampionati janë të dyja objektivat e Vllaznisë. Kemi pak favor se ndeshja luhet në Shkodër ndaj Laçit dhe shpresojmë që të shkojmë në finale. Ëndrra jonë është që të sjellim këtë sezon një Kupë në Shkodër, që të bëjmë të lumtur çdo tifoz shkodran sepse kanë vuajtur gjithë këto vite. Shpresojmë që të realizohet kjo dëshirë.