Esin Hakaj ishte një nga lojtarët më të spikatur të Teutës në sezonin e fundit. Mbrojtësi i krahut të majtë bëri paraqitje të mira për “djemtë e detit’ duke shënuar edhe një gol në Superiore.

Shkodrani është nën kontratë dhe nuk e mendon largimin. Ai shfaqet i kënaqur me sezonin e tij të parë te Teuta, por e pranon se duhet akoma më shumë punë për të arritur në majë.

Hakaj u shpall talenti i tretë i sezonit 2017-2018 dhe në intervistën për “Panorama Sport” thotë se pret një Teutë më konkurruese dhe me ambicie të mëdha.

“Mbyllëm një sezon të vështirë, ku në pjesën më të madhe kemi qenë në vendet e fundit. Në gjysmën e dytë skuadra ndryshoi qëndrim. Me afrimin e trajnerit Begeja erdhën dhe rezultatet dhe në fund e arritëm objektivin.

Jam i lumtur, pasi rrezikonim shumë, por ky ishte një sezon shumë i dobët, sepse kishim ambicie të tjera”, tha fillimisht shkodrani.

E ardhmja e Hakajt a është te Teuta?

Sigurisht, unë jam nën kontratë dhe këtu ndihem shumë mirë. Nuk kam asnjë arsye pse të largohem, shpresoj që në sezonin e ri të jemi më konkurrues dhe të shohim nga vendet e para në klasifikim.

Jeni i kënaqur me sezonin që kryet, pasi jeni shpallur talenti i tretë më i mirë i sezonit në Superiore?

Gjithmonë çmimet individuale të japin një stimul edhe më të madh për të vazhduar përpara, por do të isha më i lumtur nëse do të kishim fituar një çmim si grup, pjesëmarrjen në Europë.

Jam i kënaqur për punën që kam bërë dhe për këtë dua të falënderoj klubin për mundësinë që më dha. Gjithsesi, unë besoj se më pret një punë e madhe për të arritur ato nivele që dëshiroj. Pra, duhet më shumë punë.

Si e shikoni Teutën e sezonit të ri dhe ku mendoni se duhet të përforcoheni?

Nga vjet është krijuar një grup i mirë, me disa lojtarë cilësorë. Besoj se me disa përforcime do të jemi një ekip më i fortë, por në sezonin e ri s’duhet të kënaqemi me pak.

Gjithsesi, është shumë herët për të bërë parashikime dhe për më tepër kjo është një pyetje për drejtuesit.

Në sezonin e ri, Vllaznia nuk do të jetë në Superiore. Ju vjen keq?

Sigurisht që të vjen keq, është një ekip legjendë dhe kampionati është më i bukur me Vllazninë. Si shkodran, shpresoj të ngjitet sa më parë.