Nga Maringlen ZHIVANI
Kampionati në Kategorinë e Parë po bëhet gjithnjë e më interesant këtë sezon. Disa skuadra pretendojnë ngjitjen në Superiore dhe disa të tjerë mos-rënien nga Kategoria, teksa gara duket më e fortë se kurrë. Një nga takimet e Kategorisë së Parë, që u luajt ditën e shtunë, ishte edhe ndeshja mes Erzenit dhe Kukësit, teksa ishin miqtë ata që fituan me shifrat e ngushta 0-1.
Një gol në pjesën e dytë i dha tre pikët ekipit të Kukësit, që drejtohet nga trajneri Emiliano Çela. Titullar në këtë takim, ashtu si në shumë ndeshje gjatë këtij sezoni, ishte edhe mbrojtësi shkodran, Xhuljan Kapllanaj. Ai po vlerësohet shumë për paraqitjet e tij pozitive që po zhvillon këtë sezon me Kukësin, duke u treguar i vëmendshëm në qendër të mbrojtjes.
Në 10-ndeshje të luajtura deri më tani me Kukësin, shkodrani i mbrojtjes ka zhvilluar performanca për t’u duartrokitur, ku e fundit ishte edhe kjo ndaj Erzenit, teksa 20-vjeçari zhvilloi 90-minuta pozitive.
Patjetër që me paraqitje të tilla, për Kapllanajn do të jenë të shumta skuadrat që do të interesohen për shërbimet e tij. Për shkodranin, që ka dalë nga Akademia e Vllaznisë, ky është sezoni i parë i tij tek Kukësi, ndërsa vitin e kaluar ishte pjesë e Burrelit./www.shkodrasport.com/