Puna e Maldin Kacurrit është shpërblyer. Mbrojtësi shqiptar ka firmosur kontratën e tij profesioniste me klubin e Arsenalit.
Futbollisti 18-vjeçar ishte më parë pjesë e ekipeve zinxhirë të “topçinjve”, por klubi ka besuar në cilësitë e tij dhe i ka ofruar kontratën e parë profesioniste. Lajmin e bën të ditur vetë klubi londinez përmes faqes së vetë zyrtare në ueb. Pasi ka hedhur firmën në letër, Kacurri ka shprehur lumturinë dhe krenarinë që ndjen për këtë arritje të madhe në karrierën e tij.
“Jam shumë i lumtur. Kjo është diçka për të cilën kam punuar gjatë gjithë jetës. Jam shumë krenar për veten dhe familja është shumë krenare për mua. Kështu që jam shumë i gëzuar dhe me zor pres të vazhdoj edhe më lart. Që nga fillimi jam ndjerë shumë i mirëpritur. U përshtata menjëherë dhe më pëlqen këtu.
Është një klub i këndëshëm për të qenë këtu. Është ndjesi e mirë që ia kam shpërblyer paksa përpjekjet familjes sime, por sigurisht që duhet bërë më tepër punë. Nuk ishte aspak vendim i vështirë për t’a përkushtuar të ardhmen time këtu. Është një klub i madh. Kam mësuar shumë këtu dhe jam përmirësuar së tepërmi”, ka deklaruar Maldin Kacurri./Sport Ekspres/