Shkodran Mustafi duket se nuk do të jetë në Botërorin e “Rusi 2018”.

Mbrojtësi me origjinë shqiptare, kampion bote me Gjermaninë, e pranon vetë se nuk ka shumë shpresa që trajneri Low ta grumbullojë për në eventin më të madh të futbollit në Botë.

Në një intervistë për “Sport BILD”, qendërmbrojtësi i Arsenal, në lidhje me një ftesë të mundshme u shpreh:

“Nuk e presë të ndodhë. Sigurisht që do të më pëlqente shumë, por…”. Një deklaratë që nënkupton shumë, edhe pse Mustafit i mbetet të besojë deri në fund.

Në 2014-ën, 26-vjeçari u grumbullua në momentin e fundit nga Gjermania pas dëmtimit të Marco Reus dhe më pas u bë pjesë e pandarë e formacionit të trajnerit Low edhe në Europianin e “Francë 2016”.

Megjithatë, Mustafi ka munguar në dy miqësoret e fundit të Gjermanisë, ndaj Spanjës dhe Brazilit.

Vetë mbrojtësi pranon se ka pasur një bisedë me trajnerin Low: “Ai më tha se më ka në vëzhgim. Trajneri do të më vizitojë në Londër, ku do të kemi mundësi të flasim më gjerë”./Vipsport/