Eljon Sota u kthye te goli dhe ndihmoi Partizanin për të marrë një pikë me vlerë në një ndeshje shumë të komplikuar ndaj Laçit në transfertën e së shtunës.

Në një prononcim për “Panorama Sport” mbrojtësi flet për sfidën e së shtunës dhe jo vetëm. Pavarësisht dyshimeve për të ardhmen, Sota është i përqendruar vetëm tek e tashmja, deri në fund të majit, kur ka besim se do të shpallet kampion për herë të dytë. Fieraku vë theksin edhe te fusha e stërvitjes, që ashtu si Shehi, mendon se ndikon direkt në paraqitjen e ekipit në ndeshje. Lideri i mbrojtjes shprehet se ndaj Vllaznisë të kuqtë do të rrëmbejnë sërish vendin e dytë.

“Ndeshja e rradhës? Ne mendojmë se mund t’ia dalim ndaj çdo kundërshtari dhe Vllaznia është një ndër ta. Edhe në ndeshjet e kaluara kemi pasur shumë rezultate të mira ndaj tyre. Edhe këtë radhë jemi shumë optimistë dhe besoj shumë se do t’ia dalim.

Kontigjentin e kemi, eksperiencën e kemi fituar edhe nga titulli i vjetshëm dhe normalisht që besojmë të gjithë se të gjithë bashkë mund t’ia dalim ta fitojmë titullin kampion”- eshte shprehur mbrojtesi Sota.