Napoli u rikthye në krye të Seria A pasi ia doli të fitojë 1 me 0 përballë Romës. Mbrojtja e fortë e Napolit ishte pikë kyçe në fitimin e takimit dhe për këtë ka folur vetë Amir Rrahmani.

Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës deklaroi pas sfidës:

“Kur gjithë skuadra mbron është më e lehtë për ne mbrojtësit, çelësi është të mbrosh dhe sulmosh të gjithë bashkë, e bën çdo gjë më të lehtë.

Buonxhorno është përshtatur mirë me skuadrën. Ne jemi të gjithë të lidhur, shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Për momentin nuk po mendojmë për titullin sepse ka shumë skuadra me pak pikë diferencë. Ne duhet të gjejmë vazhdimësinë, të fitojmë dhe të marrim më shumë pikë”, u shpreh Rrahmani për “Kiss Kiss Napoli”.

Kujtojmë ndërkohë se Napoli ka mbrojtjen e dytë më të mirë në kampionat, pas Juventusit.