Nëse ka patur gjëra që nuk shkojnë ashtu si duhet gjatë gjysmës së parë të sezonit tek Vllaznia, ajo ka qenë mbrojtja. Gabime të njëpasnjëshme kanë çuar në pësimin e një numri të madh golash, çka ka ndikuar edhe në rezultatet e skuadrës. Këtë gjë e ka pranuar edhe trajneri Gjoka i cili para gazetarëve sot ka deklaruar: “Do të ndërhyjmë në merkato. Po mundohemi shumë të përmirësojmë mbrojtjen dhe sulmin.
Mbrojtja është pika më e dobët e skuadrës tonë. Mes stafin tim po punojmë shumë që të afrojmë lojtarë të mirë. Jemi duke biseduar me lojtarë me mjaft cilësi. Shumë shpejt do të bëjmë publik edhe emrat”. Tekniku ka folur edhe për largimin e Hasanit drejt ekipit të Sepahanit në Iran kur ka thënë: “Ne kemi humbur një lojtar me mjaft cilësi, por me çfarë mora vesh nga klubi, kemi fituar disi në aspektin ekonomik. Të ardhurat do të përdoren në merkato. Raste të tilla ndodhin në sport”. I ngacmuar për dëshirën e Partizanit për të rrëmbyer Çinarin dhe largimeve të mundshme të lojtarëve të tjerë nga skuadra, Gjoka jep përgjigje të prerë. “Nuk ka emra të tjerë që do të largohen. Në merkato lakohen shumë emra dhe bëhen publike dëshirat e klubeve kundërshtarë për lojtarët tanë. Merkatoja i pranon këto gjëra”.
© shkodrasport.com